Paraqitjet e shkëlqyeshme kanë bërë që interesim të tregojnë akademi të rëndësishme si Red Bull Salzburg, Dinamo Zagreb dhe NK Maribor.

Sportmania sot sjell një prezantim special, Diar Muharemi, djaloshi tetovar që po rritet me hapa të mëdhenj në futbollin e të rinjve dhe që tashmë ka marrë vëmendjen e disa prej akademive më të njohura në rajon e Evropë.
Aktualisht, Diari po zhvillohet te Shkolla e Futbollit “Grozdanoski” në Shkup, ku po tregon rritje të vazhdueshme si mesfushor ofensiv. Tani 12 vjeç, Muharemi që si 11 vjeçarë debutoi me ekipin U14, duke paralajmëruar se posedon diçka të veçantë dhe nëse vazhdon zhvillimin me këtë ritëm, një yll i ri i futbollit është duke ardhur.






Dashuria për futbollin ka lindur në familje, veçanërisht nga prindi i tij, i cili e ka transmetuar pasionin dhe e ka mbështetur fuqishëm në çdo hap. Me përkushtim të madh, Diari po e kombinon shkollimin dhe stërvitjen me seriozitet shembullor.
Performancat e tij kanë bërë që në moshë të vogël të ftohet nga akademi të rëndësishme si Red Bull Salzburg, Dinamo Zagreb dhe NK Maribor. Dinamo Zagreb e ka ndjekur prej kohësh dhe ky është tashmë udhëtimi i tij i tetë drejt Zagrebit, ndërsa Maribor e vërejti falë paraqitjeve në turnetë Dragan Mance dhe Ilinden Kup, ku talenti i tij ra dukshëm në sy.
Sipas përshkrimit të trajnerëve që kanë punuar me të dhe skautët që e kanë ndjekir, si lojtar, Diari njihet për driblime shpërthyese në situata 1 kundër 1, duke pasur një mesatare prej mbi 11 tentime për driblime për ndeshje (në top 1% të moshatarëve), pasime kyçe dhe krijim rastesh, me 3.8 pasime të fundit për 90’ dhe kërcënim konstant ndaj portës, me mbi 3 gjuajtje në kuadrat për ndeshje.
Ai shpesh aktivizohet edhe me gjenerata më të mëdha dhe mbledh rregullisht çmime individuale e ekipore, duke u konfirmuar si një nga talentet më premtuese të brezit të tij.
Sportmania i uron suksese në testimet e radhës dhe zhvillim të shëndetshëm në rrugën e futbollit, me shpresën që djaloshi tetovar të vazhdojë ta përfaqësojë rajonin dhe futbollin tonë me dinjitet dhe klas.
