Tetova kuqezi përfundimisht do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian “EURO 2024” verën e ardhshme në Gjermani. Dhe për këtë gjithë meritat kanë vetëm një emër.

NEDIM BAJRAMI, “10”-shja fantastike e Shqipërisë, tetovari tashmë i shndërruar në pikë kyçe në formacionin kuqezi që la pas eliminatore spektakolare e që kulminuan me kualifikim në EURO 2024. Po, po, Shqipëria në Europian, tetovari Bajrami po aty, e rivalët e grupit Çekia e Polonia, bashkë me Moldavinë le të disktuojnë udhëtuesin tjetër të grupit në samitin kontinental të futbollit, derisa kuqezinjtë përgatiten për festë sonte ndaj Ishujve Faroe në Tiranë, festë që ka vetëm fillimin, sepse fundi do jetë dikund në verë kur Europa do të ketë brenda vetes Shqipërinë kuqezi.

Festë legjitime edhe në Tetovë, madje edhe në Toplicë të Gostivarit, ku kanë lindur prindërit e Bajramit. Shqiptarët e kësaj ane gjithmonë janë me Shqipërinë, u gëzuan edhe në vitin 2016 kur erdhi kualifikimi në Europianin e Francës, por kësaj rradhe është ndryshe, është pjesëmarrje legjitime edhe në terren, jo vetëm me prezencë, por edhe me gola të vlefshëm që sillnin sukses e tejkalim të pengesave drejt realizimit të ëndërrës. Shumë analistë si moment kyç drejt kualifikimit e vlerësojnë barazimin në fushë të Çekisë. E mirë pra, aty Shqipëria humbiste 1:0, por disfatë refuzoi të pranonte predha e Nedim Bajramit, një e djathtë vrasëse, që i dha topit fluturim të pandalshëm drejt rrjetës së Çekisë, por me këtë edhe “fluturimin” kryesor drejt Gjermanisë. Momente të paharruara, festë e madhe kudo që ka shqiptar, familja Bajrami janë në qiellin e shtatë sepse biri i tyre bën krenar një komb të tërë, e ndërkohë ai jashta fushës me modesti e përkushtim vazhdon të shfaq krenarinë për zonën e tij duke e parë edhe në rolin e këngëtarit ku jo rrallë e shohim me vargje shumë domethënëse “Jam djalë nga Tetova, më ka thirë Atëdheu, ……..!”
E ndërkohë Tetova është jashtëzakonisht krenare për djalin e saj, Nedim Bajrami që bëhet i pari futbollist nga ky qytet që do të luajë në një Kampionat Europian si futbollist i Shqipërisë.

