Thiago Motta përflitet prej kohësh si trajneri i ardhshëm i Juventus, me drejtuesit bardhezinj që besojnë te kualiteti dhe idetë moderne të 41-vjeçarit. Megjithatë, zyrtarizimi i marrëveshjes ende mungon dhe sipas mediave italiane së fundmi ka një ngërç të vogël mes palëve dhe nuk bëhet fjalë për çështje ekonomike apo konkurrence duke qenë se edhe United e monitoron nga afër Mottan.

Ish-trajneri i Bolognas, është nga ata që kërkon të marrë pjesë në mënyrë aktive në merkaton e një klubi dhe për momentin është në pritje të një garancie nga Juventus për këtë pjesë. Motta, i ka kërkuar bardhezinjve transferimin e Teun Koopmeiners si dhe Riçardo Calafiorit. Tekniku po pret që klubi të mbyllë marrëveshjet me lojtarët dhe më pas të firmosë me torinezët.
Një tjetër dëshirë e madhe e Mottas është edhe Joshua Zirkzee, por për këtë të fundit konkurrenca është e fortë. Sa i takon merkatos në dalje, Motta ka dhënë miratimin e tij për largimin e Chiesa dhe Szczęsny. Sapo drejtuesit të zgjidhin këto çështje të merkatos, pritet që menjëherë më pas të firmosë edhe Thiago Motta.

