Pak më shumë se dy vjet pas humbjes 7-0 nga Anglia, Maqedonia e Veriut pësoi një tjetër humbje të thellë, këtë herë 7:1 nga Uellsi, në ndeshjen e dytë në Britaninë e Madhe me Bllagoja Milevskin si trajner.


Kjo i dha fund një serie prej 14 ndeshjesh pa humbje dhe pothuajse dy viteve pa disfata në takime zyrtare. Në konferencën për shtyp, trajneri Bllagoja Milevski mori përgjegjësinë për humbjen.
“Pas një takimi të tillë dhe një rezultati të tillë, dua t’u uroj të mirat uellsianëve. Nuk arritëm t’i përgjigjemi kundërshtarit me cilësi dhe motivim. Përgjegjësia është e imja dhe gjithmonë ka qenë. Qëndroj pas ekipit, por mënyra se si humbëm 7-1 më dhemb më shumë se humbja bindëse. Urime edhe për futbollistët e mi, me shpresë që fillimisht të jenë më konkurrues në klubet e tyre, e më pas edhe me fanellën e kombëtares”, ka thënë Milevski.
Pas kësaj disfate, Maqedonia e Veriut do të mundohet të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror në plej-ofin e Ligës së Kombeve. Përfaqësuesja e vendit do të jetë e pozicionuar në vazon e katërt, ndërsa kundërshtari i gjysmëfinales do të vijë nga vazoja e parë, ku bëjnë pjesë Italia, Turqia, Danimarka dhe Ukraina.

