Fundjava e shkuar ishte e veçantë për KF Arsimi të Çegranit nga Gostivari, që aktualisht garon në Ligën e Dytë të futbollit të Maqedonisë. Fusha e veprimit të klubit për një moment nga Çegrani u zhvendos në Zvicër, ku diaspora organizoi turne në futboll të vogël e në të cilin u grumbulluan shumë dashamirë e futbolldashës që janë të lidhur me ngjyrat verdhë e zi.

50 vite traditë, 50 vite futboll aktiv, 50 vite sakrificë, djersë, mund, angazhim, 50 vite me rradhë brez pas brezi, gjenerat pas gjenerata është bartë dhe trashëguar ngjyra verdh e zi, me shumë dashuri dhe përkushtim.
Këtë fakt më së miri e dëshmon data 18 Mars 2023, ku në turneun në futboll të vogël të organizuar nga mërgata e fshatit Çegran në Zvicër e Gjermani me moton “Kf.Arsimi & Mërgimtarët” bashkoi të gjithë çegranasit nën ombrellën e madhe të Arsimit.
Edhe një herë dëshmohet se mërgata e nderuar është oksigjeni i klubit të Arsimit dhe shumë aktiviteteve tjera në vendlindje që organizohen mbajnë po ashtu vulën e tyre, të cilët vetëm me trup janë në mërgim, por me zemër, shpirt dhe mendje gjithmonë në vendlindje!
Duke parë impaktin e turneut të organizuar fundjavën e shkuar në Zvicër, përgëzime meritojnë organizatorët e turneut, kryesia e klubit në Çegran e diasporë, donatorët, sponzorët, pjesëmarësit në turne që ishin të shumtë, duke filluar nga gjeneratat e para e deri te ish-lojtarë që kanë veshur bluzën e Arsimit për vite e gjenerata me rradhë!
Në Çegran janë të bindur se tashmë lirshëm mund të jehojë thënia: “Arsimi 1973 është simboli i çegranasëve”!

