Mediat rumune i kushtojnë vëmendje historisë së Shkëndijës para ndeshjes me Steauan

Në prag të përballjes mes KF Shkëndijës dhe FCSB-së në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, mediat rumune kanë hedhur vështrimin mbi të kaluarën e klubit shqiptar nga Tetova, duke rikujtuar sfidat dhe rrugëtimin e tij historik nga koha e Jugosllavisë deri në ditët e sotme.

Në shkrimet e tyre, theksohet se Shkëndija u krijua nga shqiptarët etnikë të Tetovës si një simbol sportiv dhe kulturor i komunitetit. Megjithatë, autoritetet e atëhershme jugosllave e ndaluan aktivitetin e klubit vetëm dy vite pas themelimit, nga frika për rritjen e ndikimit të shqiptarëve në arenën sportive.

Pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, klubi u rikthye në fushat e futbollit, por u përballë me vështirësi serioze. Në sezonin 2012/13, Shkëndija kaloi një krizë të rëndë financiare, duke u rrezikuar nga falimentimi.

Në atë kohë, emra të njohur të futbollit shqiptar si Xherdan Shaqiri dhe Lorik Cana u angazhuan në një fushatë me sloganin “Ecolog, Thuaj PO”, për të nxitur kompaninë Ecolog International që të ndërmerrte drejtimin e klubit. Fushata rezultoi e suksesshme.

Nën drejtimin e biznesmenit dhe filantropit Lazim Destani, Ecolog mori kontrollin e Shkëndijës, duke e konsoliduar financiarisht dhe kthyer në një skuadër konkurruese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Mediat rumune kanë bërë gjithashtu një krahasim mes dy figurave kryesore që qëndrojnë pas klubeve përkatëse Gigi Becali për FCSB-në dhe Lazim Destani për Shkëndijën. Pasuria e Destanit vlerësohet në rreth 5 miliardë euro, shumë më e madhe krahasuar me atë të Becalit, që kap vlerën e afërsisht 1.2 miliardë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close