Xhiroja e dytë në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut ka rezultuar e mirë për skuadrat shqiptare Besën, Bashkimin dhe Arsimin.

Besa e Dobërdollit para tifozëve të vetë mundi Bellasicën me shifrat 2:0, me nga një gol në secilën pjesë. Fitore të madhe regjistroi edhe Bashkimi që para tifozërisë së flaktë “zigjelbër”, mundi Pobedën e Prilepit me rezultatin 2:1, ndërkohë Arsimi regjistroi fitore më të thellë, duke mundur me shifrat 4:0 Sasën nga Kamenica.
Me po të njëjtin rezultat, Pelisteri në derbin lokal mundi Novacin, Teteksi përmbysi avantazhin e Osogovës, duke regjistruar në fund fitore 2:1, ndërsa me të njëjtin rezultat Kozhuvi në transfertë mundi Vardar Negotinën.
Nesër në program është takimi midis Skopjes dhe Detonit nga Radovishi, ndërsa ndeshja ndërmjet Ohrid Lihnidos dhe Karaorman është shtyrë.

