Lecce mori një pikë me vlera përballë Bolognas në “Via del Mare”, falë një penalltie të Piccolit në minutat shtesë të takimit. Skuadra e D’Aversas është përqendruar tek sfida e radhës në Serie A: kundër Empolit në transfertë (11 dhjetor).

Një “finale” mbijetesë përballë skuadrës së Etrit Berishës, Ardian Ismajlit dhe Stiven Shpendit, aty ku pikët janë tepër të rëndësishme për Ylber Ramadanin me shokë.
Ndërkohë, Wladimiro Falcone dhe Medon Berisha nuk kanë marrë pjesë në seancën e sotme stërvitore si pasojë e gripit. Portieri italian dhe mesfushori shqiptar, shpresojnë të rikuperohen në kohë për sfidën e së hënës.
Berisha, kapiteni i Shqipërisë U21, është grumbulluar rregullisht me skuadrën e parë të Lecces, por ende nuk ia ka dalë të debutojë në Serie A. Moment që po e pret me padurim.
Lecce, ekip ku Ramadani është kthyer në liderin e mesit të fushës, renditet në vendin e 13-të. Duke qenë 6 pikë mbi zonën e ftohtë pas javës së 14-të.


