Këtë të mërkurë, Barcelona njoftoi numrin e ri të Lamine Yamal për sezonin e ardhshëm. Kampioni i sapokurorëzuar i Evropës (dhe lojtari i ri më i mirë i turneut) tani do të veshë fanelën me numrin ‘19’, duke lënë pas numrin ‘27’, të cilin e mbante gjatë sezonit të kaluar. Njoftimi është bërë përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale të Blaugranëve .

Kujtojmë që anësori 17-vjeçar ka veshur ‘19’ gjatë gjithë Euro 2024. Interesant është se të njëjtin numër mbante edhe Lionel Messi, kur nisi karrierën në ekipin e parë të Barçës.
Shtypi spanjol pohon gjithashtu se Lamine Yamal dëshiron të respektojë faktin se fanela mitike e Barcelonës me numrin ‘10’ i përket Ansu Fatit, i cili u rikthye në klub pas huazimit të tij në Brighton dhe të cilit skuadra katalunase po e llogarit këtë sezon.
Në sezonin e tij të parë të plotë me ekipin Culé , ylli spanjol luajti 50 ndeshje, ku shënoi shtatë gola dhe shtatë asistime.

