Zvicra në aspekt futbollistik në këndvështrimin e kombit shqiptar tashmë është vend me pedigre të dëshmuar ku tradicionalisht fitojmë terren e bëjmë mirë, ndërsa nami i Xhakës, Shaqirit, Xhemailit, Mehmedit, e shumë të tjerëve duket i garantuar për tu vazhduar edhe në të ardhmen.

Fakti që shumë shqiptarë jetojnë në Zvicër, rrit praninë tonë në çdo sektor e futbolli s’është përjashtim.

Po ju prezantojmë Muhamed Kurtishin, 16 vjeçari nga Kumanova. Sulmues tipik i lindur në gusht të vitit 2008, me potencial të shfaqur në moshat e reja ka bindur drejtuesit e FC Baselit për ti ofruar kontratë profesionale. I përfshirë edhe në përfaqësueset e shpresave (U15) të Zvicrës, shqiptari tashmë ka bërë një hap të rëndësishëm në futbollin profesionist, ndërsa nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve dhe vlerësimeve, një yll i ri i futbollit është në rritje.



