Toronto prezanton goditjen e merkatos, ish sulmuesin e Napolit, Lorenzo Insigne. Italiani pasi mbylli aventurën e tij me Napolin mori vendimin për të “shtegtuar” shumë larg dhe për të provuar një eksperiencë të re shumë larg Europës. Në fjalët e tij të para si lojtar i Torontos, Insigne theksoi se atje është për fëmijët dhe familjen e tij, dhe jo për para. “Ishte e vështirë të largohesha nga Napoli. Unë jam 31 vjeç dhe nuk jam i vjetër, mund të qëndroja ende në Evropë, por gruaja dhe fëmijët janë të parët. Është hera e parë që unë dhe familja ime largohemi nga Napoli. Që në ditën e parë që takova presidentin ai më foli shumë për këtë qytet, mezi prisja të vija, të takoja trajnerin dhe shokët e rinj”, tha ish-kapiteni Napolit, duke vijuar: “Një zgjedhje jete edhe për fëmijët e mi, shpresoj që ata të kenë një të ardhme të shkëlqyer këtu. Shumë mendojnë se kam ardhur këtu për para, por kjo ishte një zgjedhje kryesisht për familjen dhe fëmijët e mi. Unë nuk jam dakord që këtu nuk luhet futboll i vërtetë, erdha për të ndihmuar klubin të fitojmë trofe”, përfundoi italiani.


