Historike: Për herë të parë në Maqedoni një treshe arbitresh femra, Shkëndija i pret me lule për 8 Marsin 

Dita e djeshme shënoi një moment historik për futbollin në Maqedoninë e Veriut. Për herë të parë në një ndeshje të Ligës së Parë, drejtësinë e ndanë tre arbitre femra. Ivana Projkoska, e cila prej vitesh referon edhe në arenën ndërkombëtare, ishte kryesore në sfidën mes Shkëndijës dhe Pelisterit, ndërsa ndihmësit e saj ishin Vjollca Izeiri dhe Elena Soklevska Ilievska.

Për ta nderuar këtë moment të veçantë dhe në shenjë respekti për 8 Marsin, futbollistët e Shkëndijës pritën arbitret me lule para fillimit të ndeshjes. Një gjest simbolik me dy mesazhe të fuqishme: vlerësimi për gratë në sport dhe shënimi i një hapi të ri në historinë e arbitrimit në vend.

Në fushë, kuqezinjtë vulosën një tjetër fitore duke mposhtur Pelisterin me golin e kapitenit Besart Ibraimi, duke ruajtur kështu kreun e tabelës në Ligën e Parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close