FC Shkupi përmes sponsorit të ri, bëhet pika qëndrore në Ballkan me Lindjen e Mesme

Skuadra e FC Shkupit njoftoi hyrjen në një epokë të re të zhvillimit me zyrtarizimin e bashkëpunimit me “Royal Business Council” – një institucion me ndikim që vepron nën mbrojtjen dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve mbretërore të Dubait dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Me këtë veprim, skudra nga Çairi jo vetëm që siguron një sponsor të ri gjeneral, por edhe një aleat të fortë me lidhje të fuqishme në ekonomi, diplomaci dhe sport me Lindjen e Mesme. Siç theksohet në njoftimin e publikuar në faqen e klubit, partneri i ri, i përfaqësuar nga Dr. Sulejman Tasci – President i Këshillit Mbretëror të Biznesit, vjen jo vetëm me mbështetje financiare, por edhe me një vizion të qartë për transformimin e klubit në një qendër rajonale për sportin dhe arsimin. Ai nënvizoi se ky është një projekt shumëdimensional, i frymëzuar nga modelet evropiane dhe globale, me qëllim ndërtimin e një platforme që do të lidhë Shkupin me Dubain, Abu Dabin, Dohën dhe Riadin.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me sponsorizim – ka të bëjë me një projekt strategjik që synon zhvillimin e talenteve të reja dhe diplomacinë sportive. Shkupi do të jetë pika qendrore e këtij projekti në Ballkan, me mbështetje të plotë nga institucioni ynë dhe investitorë të tjerë nga Gjiri”, theksoi Tasci.

Sipas marrëveshjes së bashkëngjitur, me këtë bashkëpunim, klubi do të merrte një akademi profesionale në Shkup, bashkëpunim me universitete dhe akademi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Arabia Saudite, partneritete me klube elitare nga Lindja e Mesme dhe Evropa, si dhe mbështetje për 100-vjetorin e klubit në vitin 2027.

Presidenti i Shkupit, Yasin Konyalli, nënvizoi se kjo marrëveshje shënon hyrjen e klubit në një fazë të re profesionalizmi dhe integrimi ndërkombëtar.

“Po ndërtojmë një urë midis Shkupit dhe Dubait, midis Ballkanit dhe botës arabe. Kjo është rruga që do t’i çojë të rinjtë tanë drejt skenave të mëdha”, tha Konyali.

FC  Shkupi me 34 pikë është në vendin e tetë në tabelë, me shanse të humbura prej kohësh në luftën për një vend në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close