Maqedonia e Veriut i nis eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 me 23 mars ndaj Maltës.

Përfaqësuesja e vendit ndodhet në një grup të fortë me ekipe si Italia, Anglia e Ukraina. Para grumbullimit të reprezentuesve ka folur, Ezgjan Alioski.
“Jemi të lumtur që pas disa muajsh do të jemi sërish me përfaqësuesen e Maqedonisë. Po nisim një cikël të ri kualifikimi dhe sigurisht shpresojmë fitore ndaj Maltës dhe fillim me tre pikë.
“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojmë me sukses kualifikimet sepse pas kësaj kemi ndeshje shumë më serioze në grupin e fortë me Anglinë, Italinë dhe Ukrainën”.
“Uroj që të gjithë të jemi të shëndetshëm dhe të kompletuar dhe besoj se do të japim maksimumin. Do të mundohemi të luajmë ndeshje të mëdha për kualifikime të suksesshme pas rezultateve historike të viteve të fundit”.

