Tekniku turk 59 vjeçarë Kazim Ersun Yanal është opsion serioz për tu emëruar seleksionues i përfaqësueses së futbollit të Kosovës.

Lajmin ekskluzivisht për Tv Shenja dhe Sportmania e zbulon agjenti shqiptarë, Erkan Sulejmani. 40-të vjeçari që jeton e vepron me shumë sukses në Francë dhe që ka ndërmjetësuar goxha transferime të bujshme, zyrtarisht përfaqëson trajnerin turk në bisedimet me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kontaktet e para tashmë janë realizuar, ndërsa raundi i bisedimeve finale u shty për shkak të sulmit fizik që ditë më parë i’u bë presidentit të FFK-së, Agim Ademi nga deri tani persona të panjohur.
Agjenti Erkan Sulejmani pohon se trajneri Yanal është i bindur se mund të bëjë mirë me përfaqësuesen e Kosovës dhe pret përfundim pozitiv të bisedimeve me FFK-në.
Bëhet fjalë për trajner të njohur që ka drejtuar shumë skuadra elitare nga Turqia, mes të cilave në dy raste gjigandët Fenerbahçe e Trabzonsopor, në vitin 2004 ishte seleksionues i Turqisë, ndërsa së fundmi ishte trajner i Antalyasporit.

