Ekipi i Struga Trim Lum ka një objektiv, ta mbyllë këtë cikël të kampionatit me një fitore dhe të shkojë në pushimin ndërkombëtar me tre pikë të reja. Sot, ekipi i Arsimit do të vizitojë Strugën, dhe kapiteni Bunjamin Shabani thotë se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe një provë e rëndësishme pas dy fitoreve radhazi kundër Shkupit dhe Makedonija GJP.

“Ne përgatitemi për çdo ndeshje në maksimum dhe me shumë seriozitet, pavarësisht kundërshtarit. E dimë që nuk ka ndeshje të lehta në kampionat, kështu që jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe besoj se do të bëjmë çmos për të fituar tre pikët”,tha kapiteni Bunjamin Shabani.
“Jemi plotësisht të përqendruar për të treguar një lojë të mirë në çdo ndeshje dhe për të luajtur futboll të bukur dhe ofensiv. Kjo ka dhënë rezultate pozitive deri më tani, kështu që besoj se do të vazhdojmë të shënojmë sa më shumë gola të jetë e mundur në çdo ndeshje të ardhshme, përfshirë edhe ndeshjen e sotme kundër Arsimit”, shtoi Shabani.
Me një triumf të mundshëm, skuadra e Struga Trim Lum do të ngjitet sërish në pozicionin e parë në tabelë sot.

