Beqiri realist pas disfatës: Samsunspori më cilësor, ne nuk i shfrytëzuam rastet

Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, ka folur pas humbjes së skuadrës së tij nga Samsunspori në kuadër të UEFA Europa Conference League, duke pranuar se kundërshtari ishte më i mirë në fushë dhe se ekipi i tij nuk ishte në nivelin e duhur.

Beqiri theksoi se përballë kishin një skuadër shumë cilësore, por u ndal më tepër te paraqitja e ekipit të tij, duke vlerësuar se Shkëndija nuk ishte në maksimumin e saj.

“Ne kishim përballë një skuadër shumë cilësore, por unë dua të merrem me skuadrën time. Mendoj se Shkëndija nuk ishte në maksimumin sonte, nuk patëm paraqitjen më të mirë të mundshme. Normalisht, nuk dua të përul performancën e kundërshtarit, pasi për të qenë korrekt, ishin skuadër më e mirë në fushë dhe një nga ato rastet që kishin i shfrytëzuan”, deklaroi Beqiri.

Ai shtoi se skuadra nga Tetova pati disa raste të mira shënimi, por mungoi konkretizimi në momentet vendimtare.

“Ne, dy-tri raste të mira që kishim nuk arritëm të shënojmë. Në këtë situatë, kur luan me kësi lloj skuadra cilësore, nëse nuk arrin të shënosh nga ato rastet e pastra, atëherë rezultati përfundimtar do të jetë negativ”, u shpreh trajneri.

Në fund, Beqiri foli edhe për sfidat e radhës, duke theksuar se fokusi fillestar është në kampionat, para se të mendohet për ndeshjen e kthimit.

“Si fillim duhet të fokusohemi për ndeshjen e ditës së diel në kampionat, pastaj për ndeshjen e kthimit do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe të shpresojmë në një performancë më të mirë nga skuadra jonë”, përfundoi trajneri i Shkëndijës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close