Ronald Koeman dhe Leo Messi do të takohen sot për të diskutuar për planet e trajnerit të ri te skuadra e Barcelonës.

“TyC” raporton se sulmuesi argjentinas ka ndërprerë pushimet e verës për t’u takuar me strategun e ri të gjigantit katalan, transmeton lajmi.net.
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga emërimi i tij në detyrë para se Koeman të takojë futbollistin kryesor të skuadrës nga Camp Nou.
Në prezantimin e tij te Barcelona, Koeman pranoi se dëshiron të bisedojë me Messin pas spekulimeve se sulmuesi është duke konsideruar të ardhmen e tij në klub pas një sezoni dëshpërues të përfunduar me humbjen e thellë 8-2 nga Bayern Munich në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Sipas Cadena Cope, Messi gjendet në El Cerdanya me familjen e tij por do të kthehet sot për t’u takuar me Koemanin. /Lajmi.net/

