Pollozhani e vlerëson debutimin e Abdurahmanit: “Kemi fituar një çun të ri nga shkolla jonë e futbollit”

Anes Abdurahmani, 17-vjeçari i rritur në akademinë e Shkëndijës, debutoi si titullar me ekipin e parë në fitoren 4:1 ndaj Bregallnicës dhe la përshtypje shumë pozitive.

Trajneri Artim Pollozhani pas ndeshjes veçoi paraqitjen e të riut, duke e cilësuar debutimin e tij si një nga momentet pozitive të sfidës. “Më vjen mirë për Gashin (Anes Abdurahmani) që debutoi sot dhe pati për mua një paraqitje jashtëzakonisht të mirë. Mendoj se kemi fituar një çun të ri nga akademia, te i cili patjetër se i kemi sytë”, deklaroi Pollozhani.

Abdurahmani, i cili prej një periudhe stërvitet me ekipin e parë, mori besimin për të startuar në krahun e majtë të mbrojtjes për shkak të mungesave të shumta nga lëndimet dhe pezullimet. 17-vjeçari luajti 77 minuta, duke treguar qetësi, siguri në ndërhyrje dhe saktësi në pasime, me një paraqitje që nuk ngjante me atë të një debutuesi.

Për Shkëndijën, sfida ndaj Bregallnicës solli jo vetëm tri pikë dhe vazhdimin e startit perfekt me tri fitore në tri ndeshje, por edhe shfaqjen e një tjetër talenti të shkollës vetanake që premton për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close