Trajneri shqiptar Besnik Hasi është emëruar zyrtarisht në krye të skuadrës turke Amedspor, duke nisur një aventurë të re në karrierën e tij pas largimit nga Anderlecht.

Klubi turk ka konfirmuar marrëveshjen me teknikun shqiptar, i cili ka firmosur kontratë dyvjeçare dhe do të udhëheqë ekipin në sezonet e ardhshme.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Hasi ka drejtuar disa skuadra të njohura evropiane, mes tyre Anderlecht, Olympiacos, Legia Varshavë dhe KV Mechelen, ndërsa me gjigantin belg ka fituar edhe titullin kampion.
Pas prezantimit, Hasi falënderoi klubin për besimin e dhënë dhe u bëri thirrje tifozëve të vazhdojnë mbështetjen e tyre, duke premtuar se së bashku do të punojnë për të arritur objektivat e skuadrës.

