Sfidat kryesore me të cilat do të përballet Ronaldo në Botëror

Kupa e Botës 2026 pritet të jetë turneu i fundit madhor në karrierën e jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos.

Legjenda portugeze do të udhëheqë kombëtaren e Portugalisë në një tjetër përpjekje për lavdi, me objektiva të mëdha që mund ta bëjnë edhe më të paharrueshme trashëgiminë e tij. Këto janë katër sfidat kryesore që e presin 41-vjeçarin në Amerikën e Veriut.

1. Të fitojë Kupën e Botës

Objektivi më i madh dhe më i qartë për Ronaldon është ngritja e trofeut të Kupës së Botës. Portugalia nuk ka arritur kurrë në finale të këtij kompeticioni, ndërsa vetë Cristiano ka fituar tashmë Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve me kombëtaren.

Një triumf në Botëror do të kompletonte koleksionin e tij të trofeve ndërkombëtarë dhe do t’i jepte fund debatit të përhershëm me ata që e krahasojnë me Lionel Messin, duke e konsideruar mungesën e një Kupe Bote si të vetmen njollë në karrierën e tij.

Për Ronaldon, ky është misioni i fundit dhe më i rëndësishëm.

2. Të shpallet golashënuesi më i mirë i turneut

Rekordi i Miroslav Kloses me 16 gola në histori të Kupës së Botës duket i paarritshëm, pasi Ronaldo ka realizuar tetë gola në pjesëmarrjet e tij botërore.

Megjithatë, një objektiv realist është fitimi i “Këpucës së Artë” të turneut. Konkurrenca do të jetë e fortë, me emra si Kylian Mbappe dhe Harry Kane, por kapiteni portugez mund të përfitojë nga ndeshjet e fazës së grupeve për të rritur statistikat e tij.

Interesant është fakti se Ronaldo nuk ka qenë kurrë golashënuesi më i mirë i një Botërori. Rekordi i tij personal mbetet edicioni i vitit 2018, kur shënoi katër gola, por u la pas nga Harry Kane.

3. Një “vallëzim i fundit” në rivalitetin historik me Messin

Rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit është një nga më të mëdhenjtë në historinë e sportit. Dy ikonat janë përballur në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe në garat individuale, por asnjëherë në Kupën e Botës.

Botërori 2026 mund të ofrojë kapitullin e fundit të kësaj historie legjendare. Nëse Portugalia dhe Argjentina ecin sipas parashikimeve në turne, një përballje mes tyre mund të ndodhë që në çerekfinale, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e një finaleje ëndrrash.

Një fitore ndaj Messit në skenën më të madhe të futbollit do të ishte një moment historik për Ronaldon.

4. Të tregojë se është një lojtar i ekipit

Një nga kritikat më të shpeshta ndaj Ronaldos në vitet e fundit ka qenë se ai shpesh ka vendosur objektivat personale mbi nevojat e ekipit.

Euro 2024 dhe Kupa e Botës 2022 sollën shumë diskutime rreth rolit të tij në kombëtaren portugeze, me disa analistë që argumentuan se skuadra mund të funksiononte më mirë pa të.

Megjithatë, Ronaldo ka treguar së fundmi te Al-Nassr se është i gatshëm të kontribojë edhe në forma të tjera, duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës dhe duke vënë ekipin mbi statistikat personale.

Nëse ai arrin të ruajë këtë qasje edhe në Kupën e Botës, Portugalia mund të përfitojë maksimalisht nga përvoja, lidershipi dhe cilësitë e një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kupa e Botës 2026 mund të jetë kapitulli i fundit i Cristiano Ronaldos në skenën ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe mundësia e fundit për ta shndërruar karrierën e tij legjendare në një histori të përkryer./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close