Në futbollin e moshave, golashënuesit e lindur janë gjithmonë të veçantë. Një emër që këtë sezon ka bërë të flitet në shkollën e futbollit të FC Shkupit është Ilir Xhoni, sulmuesi 16-vjeçar nga Saraji, i cili me paraqitjet e tij po jep sinjale shumë premtuese për të ardhmen.

Xhoni, pjesë e gjeneratës 2009 (U17), ka zhvilluar një sezon mbresëlënës, duke shënuar 25 gola me grupmoshën e tij, ndërsa ka kontribuar edhe me grupmoshat më të mëdha. Ai realizoi 3 gola me gjeneratën 2008 dhe 5 gola me ekipin e vitlindjes 2007, duke e mbyllur sezonin me gjithsej 33 gola në tri kategori të ndryshme.
Një nga momentet më të spikatura të sezonit erdhi në gjysmëfinalen me gjeneratën 2007, kur Xhoni shënoi golin e tretë në minutën e 90-të, duke siguruar kualifikimin e FC Shkupit në finale.
Përtej shifrave, ajo që bie në sy te sulmuesi i ri është nuhatja për golin, lëvizja në zonë dhe aftësia për t’u gjendur në vendin e duhur në momentin e duhur. Cilësi që e kanë bërë një nga futbollistët më produktivë të shkollës së FC Shkupit gjatë këtij sezoni.
Natyrisht, rruga drejt futbollit të madh është ende e gjatë, por paraqitjet e deritanishme tregojnë se FC Shkupi ka në radhët e veta një talent që vlen të ndiqet me vëmendje në vitet e ardhshme.

