Ish-futbollisti italian Antonio Cassano ka bërë disa deklarata të forta, duke thënë se në vitet e tij më të mira do të kishte qenë më i mirë se legjendat Roberto Baggio, Francesco Totti dhe Alessandro Del Piero, por pranon se nuk e arriti kurrë potencialin maksimal.

Cassano i bëri këto komente në podkastin “Viva el Fútbol”, të cilin e drejton së bashku me ish-lojtarët Daniele Adani dhe Nicolo Ventola, pasi një ndjekës e pyeti nëse ishte superior ndaj tre yjeve italianë në kulmin e karrierës së tij.
“Në vitet e mia më të mira, absolutisht po, edhe pse nuk e kam arritur kurrë 100% në karrierën time apo në jetën time. Baggio ishte i jashtëzakonshëm, Totti është ‘dhjetëshja’ më e mirë në historinë e futbollit italian, Del Piero ishte një lojtar fenomenal, por nëse do ta kisha arritur 100 përqindëshin tim, do të kisha qenë më i mirë se ata”.
“Çfarë isha më i mirë se Totti? Isha më kreativ se ai; fizikisht më i fortë se Baggio dhe më i mirë në gjithçka se Del Piero. Ai shënoi më shumë gola se unë, por po flas për vitet e mia më të mira. Nëse do të kisha bërë atë që duhej të bëja, nuk do të kisha konkurrencë. Isha ndryshe”, deklaroi Cassano.
Në karrierën e tij në Serie A, Cassano regjistroi 112 gola dhe 100 asistime në rreth 400 paraqitje, duke luajtur për Barin, Romën, Sampdorian, Milanin, Interin dhe Parmën. Ai u aktivizua edhe te Real Madridi, ku shënoi 4 gola dhe dha 3 asistime në 29 paraqitje.
Me Kombëtaren e Italisë, Cassano realizoi 10 gola në 39 ndeshje dhe ishte pjesë e skuadrës që arriti në finalen e Euro 2012.

Ndërkohë, Totti dhe Del Piero ishin pjesë e Italisë që fitoi Kupën e Botës 2006, ndërsa Baggio ka qenë një nga figurat kryesore të “Azzurrëve” në turne të mëdha, përfshirë Botërorin 1994, ku Italia u rendit nënkampione. /Telegrafi/

