FC Shkupi, edhe pse po kalon një periudhë shumë të vështirë, ka filluar sot zyrtarisht përgatitjet. Stërvitja e parë u zhvillua në një atmosferë të veçantë, pasi krahas lojtarëve dhe stafit, prezentë ishin edhe tifozët më të flaktë të klubit, “Shvercerat”.
Në këtë përkrahje u panë të bashkuara disa gjenerata tifozësh, nga më të vjetrit tek më të rinjt, të cilët erdhën për të dhënë një mesazh të qartë se Shkupi nuk është i vetëm. Prania e tyre ishte më shumë se simbolike, duke treguar se me ndryshimet e duhura dhe një qasje serioze, ata do të qëndrojnë maksimalisht pranë ekipit.
Ky moment shërben si sinjal pozitiv për skuadrën në prag të një faze të rëndësishme, me shpresën që puna, uniteti dhe mbështetja nga tribunat ta ndihmojnë Shkupin fillimisht të mbijetoj, e më pas të rikthehet aty ku i takon.
