Pavarësisht spekulimeve të ditëve të fundit se Slavço Vojneski është në rrugë të mirë për t’u emëruar trajner i ri i FC Shkupit, gjithçka ka marrë fund. Burime të besueshme të Sportmania mësojnë se palët ishin në bisedime konkrete, madje Vojneski kishte nisur të hartojë planin e punës dhe të përpilojë stafin për edicionin e ri.

Megjithatë, trajneri me përvojë kishte vendosur një kusht të panegociueshëm, zhbllokimin e merkatos dhe shlyerjen e borxheve të futbollistëve, në mënyrë që skuadra të mund të fokusohet tërësisht në objektivat sportive.
Kur nuk pa garanci të qarta për këtë çështje, Vojneski vendosi të tërhiqet. Të premten, ai ndërpreu çdo kontakt, ndërsa sot konfirmoi ekskluzivisht për Sportmania se nuk ka asnjë marrëveshje me FC Shkupin dhe nuk do jetë pjesë e klubit.
“Ishte një ide interesante dhe ambicioze, por në mungesë të kushteve të duhura, vendosa të mos e vazhdoj më këtë rrugë”, tha shkurt Vojneski për Sportmania.
FC Shkupi mbetet në kërkim të trajnerit të ri, ndërsa sezoni i ri po afrohet me hapa të shpejtë me klubin që momentalisht jeton në paqartësi në lidhje me bankinën.

