Pas humbjes në ndeshjen vendimtare të balotazhit ndaj Bashkimit (0:2), skuadra e Besës së Dobërdollit humbi statusin në Ligën e Parë. Menjëherë pas ndeshjes, klubi doli me një komunikatë zyrtare, duke bërë të ditur tërheqjen nga skuadra e parë dhe fokusimin në shkollën e futbollit dhe punën me grupmoshat.

Në vazhdim, pati reagim të fuqishëm nga tifozët dhe banorët e Dobërdollit, të cilët kërkuan që klubi të mos shuhet dhe të gjendet mënyra për të vazhduar garimin.
Ndërkohë, disa media në vend publikuan lajme të pakonfirmuara, duke spekuluar për një rikthim të familjes Tairi në drejtimin e skuadrës. Për të sqaruar situatën dhe për të ruajtur qartësinë publike, Sportmania si portali i vetëm që ka kontaktuar direkt familjen Tairi, sjell qëndrimin zyrtar të z. Zijadin Tairi.
🎙️ Zijadin Tairi për Sportmania:
“Përveç jush si portal, asnjë medium tjetër nuk na ka kontaktuar për të marrë informacion të saktë. Këto raportime që kanë dalë në media janë të pabazuara, të pavërteta dhe krejtësisht të papërgjegjshme. Fatkeqësisht, jemi shumë të zhgënjyer pas asaj që ndodhi në balotazh. Si familje që kemi investuar shumë në këtë klub, në këtë moment ndiejmë dëshpërim të thellë dhe kemi nevojë për reflektim të qetë.”
Sipas tij, brenda familjes janë duke u zhvilluar diskutime të brendshme, me qëllim që të mos lejohet shuarja e klubit dhe të shqyrtohet mundësia e vazhdimit.
“Jemi në proces të analizimit të situatës dhe çdo hap i ardhshëm do të merret me përgjegjësi dhe transparencë. Deri atëherë, lutemi që të ndalen spekulimet në media dhe të respektohet kjo fazë vendimtare për të ardhmen e klubit.”
📌 Sportmania do të vazhdojë të raportojë saktë dhe me burime të verifikuara për çdo zhvillim rreth KF Besa Dobërdoll.

