Ish-futbollisti i Shkëndijës së Tetovës, Erald Çinari performon shkëlqyeshëm në Armeni me Noah-n, duke gjetur golin e 14 sezonal.

Shkodrani, Erald Çinari, vazhdon me paraqitjet mbresëlënëse në Armeni, duke shënuar një gol dhe dhuruar një asist në fitoren 3:0 të Noah ndaj Araratit. Me këtë fitore, Noah arrin në 19 ndeshje pa humbje, duke vendosur rekord të ri historik në futbollin armen.
Çinari regjistroi golin e 14-të në kampionat dhe të 16-tin këtë sezon në të gjitha garat për Noah-n, ku është kthyer në një nga figurat kryesore të suksesit të ekipit. Futbollisti nga Shkodra, që në Armeni u transferua nga Shkëndija e Tetovës, ka gjetur formën më të mirë duke qenë një nga shtyllat kryesore në sukseset e ekipit të ri të Noah-s, me të cilët luajtën në grupet e Conference League dhe aktualisht janë shumë pranë titullit të parë kampion në histori.
Forma e shkëlqyer e Çinarit pritet t’i sigurojë atij një kontratë të re me Noah-n, por nuk përjashtohet as mundësia që me këtë nivel paraqitjesh, të ndodhë një transferim në ndonjë kampionat edhe më të fortë dhe më konkurrues.

