Shqiptari nga Nerashti i Tetovës, Lirim Qamili, i cili mban fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut dhe aktivizohet në kampionatin danez, vazhdon të jetë një nga lojtarët më në formë të ekipit të tij.

Qamili realizoi dy gola këtë të dielë, duke qenë protagonist në suksesin e radhës të skuadrës së tij në elitën e futbollit danez, ku pas fitoreve ndaj Vejle Boldklub dhe Lyngby Boldklub, plotësuan javën perfekte me tre pikë të tjera me fitore 3:2 ndaj ekipit të fortë të AaB në transfertë.
“Po luajmë ndeshje të forta, me shumë rëndësi. Kishim shumë për të treguar kundër AaB, arritëm të luajmë në lartësinë e dëshiruar dhe tani duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë edhe në vazhdim dhe të shohim se ku do na çojë kjo,” është shprehur Qamili për mediat lokale në Danimarkë.
Fitorja e tretë brenda një jave ishte kulmi për ekipin e tij, i cili ndodhet në një betejë të ashpër për mbijetesë në ligë, por tashmë duket se janë futur në “ujëra të qeta”. “Këto fitore na japin shumë energji dhe besim, por nuk duhet të na bëjnë të relaksohemi. Na presin edhe shumë finale deri në fund,” shton më tej sulmuesi shqiptar.
Qamili po kalon një formë të shkëlqyer dhe me këtë ritëm pritet të jetë një nga pikat kyçe të skuadrës në javët vendimtare të kampionatit.

