Shkëndija triumfon me karakter në Kavadar, Beqiri: “Më pëlqeu mënyra si menaxhuam lojën” 

KF Shkëndija mori një fitore me shumë peshë në përballjen e xhiros së 26-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, duke mposhtur Tikveshin me rezultat 0:1 në stadiumin e Kavadarit. “Kuqezinjtë” shënuan me anë të Liridon Latifit në minutën e 69-të pas asistimit të Besart Ibraimit, duke arritur të ruajnë epërsinë edhe me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Mevlan Adilit në minutën e 65-të.

Trajneri Jeton Beqiri, pas takimit, theksoi rëndësinë e fitores, por mbi të gjitha, u shpreh i kënaqur me mënyrën se si ekipi funksionoi gjatë gjithë ndeshjes.

Patjetër se është një fitore e rëndësishme, por më e rëndësishme për mua ishte se si u duk Shkëndija dhe si luajti gjatë 90 minutave, si kur ishim numerikisht të barabartë, ashtu edhe kur ishim me një lojtar më pak,” u shpreh Beqiri.

Shkëndija krijoi disa raste të pastra për gol, por shpërdorimi në fazën finale vazhdon të mbetet problem.

Kemi probleme në disa momente kur s’jemi sa duhet cinik, nuk realizojmë rastet. Normalisht edhe tensioni edhe dëshira e futbollistëve është shumë e madhe, si duket mungon qetësia e momentit të fundit. Por ishte e rëndësishme të merren tre pikët, e pastaj gjërat tjera do përmirësohen gradualisht,” shtoi Beqiri.

Edhe pse në disavantazh numerik për më shumë se 25 minuta, Shkëndija arriti të ruajë dominimin dhe të mbyllë ndeshjen pa pësuar gol.

Rezultati 1:0 nuk pasqyron realitetin e ndeshjes, sepse kishim 5-6 raste të pastra për gol. Kishim dominim total, kurse kundërshtari përveç disa tentimeve nga goditjet standarde, nuk pati ndonjë rast të rrezikshëm. Jam i lumtur me angazhimin e futbollistëve dhe i përgëzoj për lojën që bënë,” përfundoi trajneri i Shkëndijës.

Me këtë fitore, Shkëndija vazhdon të qëndrojë në garë për kreun e tabelës, ndërsa rikthen moralin e lartë para sfidave të radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close