
Hendbollistet e Çairit kanë shënuar fitore bindëse ndaj Kumanovës me rezultat 36-31, në një ndeshje ku mysafiret rezistuan fort, sidomos në pjesën e parë që u mbyll baraz 18-18.
Skuadra e Kumanovës kishte epërsi edhe në fillimin e pjesës së dytë me 20-19.
Por aty ndodhi kthesa. Vajzat e Çairit të drejtuara nga Basri Latiti u përgjigjën me një seri golash, duke e kthyer rezultatin në 25-21, ndërkohë që portierja Mitroviq ndali disa goditje në vazhdim, duke i prerë hovin kundërshtarit.
Rreth dhjetë minuta para fundit u lëndua Gabi Veliçkovska, por shoqet e saj arritën të menaxhojnë me sukses pjesën e mbetur të takimit dhe ta mbyllin atë me fitore të merituar.
Më të dalluarat në ekipin fitues ishin Dukoska me 10 gola, Gulicoska me 9 dhe Gjorgjievska me 8. Te Kumanova u veçuan Zeçeviq me 8 gola dhe Çvetanovska e Nestoroska me nga 5 secila.