Mesfushori gjerman ka vendosur për të ardhmen e vet

Mesfushori i Bajern Munihut, Xhoshua Kimih do të mbetet në radhët e klubit më të suksesshëm gjerman pavarësisht indikacioneve të mëparshme se ai mund të largohet në fund të sezonit. Më parë mediat gjermane shkruanin se negociatat për vazhdimin e kontratës së tij me klubin kishin ngecur dhe flitej për interesim edhe nga klube të tjera evropiane, si Paris Sen Zhermeni dhe Arsenali.

Megjithatë, pavarësisht interesimit të gjigantëve evropianë, Kimih do të qëndrojë te Bajerni, pasi të dyja palët kanë arritur një marrëveshje të plotë për një kontratë të re deri në vitin 2029. Konfirmimi zyrtar pritet në ditët në vijim dhe Kimih është lojtari i dytë pas Alfons Dejvis që zgjat besnikërinë e tij me Bavarezët.

Ndryshe, Kimih mbërriti te Bajern Munihu nga RB Lajpcigu në verën e vitit 2015 për rreth 7 milionë euro. Para kësaj, rrugëtimi i tij futbollistik filloi në Shtutgart, ku kaloi nëpër seleksionimet e të rinjve, por nuk pati një shans në ekipin e parë.

Shtutgarti e shiti atë te Lajpcigu në vitin 2013, i cili atëherë luante në divizionin e tretë të Gjermanisë. Ai përparoi shpejt në Lajpcig dhe u bë një lojtar kyç, gjë që tërhoqi vëmendjen e Bajernit.

Baerni e solli atë me insistimin e Pep Guardiolës, i cili e njohu menjëherë talentin e tij dhe e shndërroi në një nga mesfushorët më të mirë në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close