Dani Olmo ka qenë protagonist për blaugranat me paraqitjen e tij vendimtare në fitoren ndaj Las Palmas, por gjithashtu është në qendër të vëmendjes për shkak të gjendjes fizike dhe problemeve me regjistrimin në La Liga, çështje mbi të cilën ka komentuar edhe Havier Tebas (kreu i La Liga-s). Flik është përgjigjur qartë mbi këtë çështje.

“Nuk dua të prononcohem për këtë. Tani mund të luajë dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Situata aktuale është kjo, unë jam shumë i lumtur që mund të luajë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, gjithmonë më habisin disa gjëra që ndodhin në Spanjë, por unë jam i lumtur këtu”.
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, deklaroi më herët gjatë një eventi të organizuar nga “Europa Press” se “Olmo nuk duhet ta përfundojë sezonin”, pavarësisht se Këshilli i Lartë i Sportit (CSD) e ka miratuar aktivizimin e tij.
Përsa i përket formës së lojtarit, Flikk ka siguruar se është gati për të luajtur që nga fillimi dhe për 90 minuta të plota.
“E kemi menaxhuar me kujdes dhe është i gatshëm për të qenë titullar. Goli i tij ndaj Las Palmas ishte shumë i rëndësishëm. Për mua më e rëndësishmja është që ai të jetë në fushë”.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë konferencës ishte kalendari i ngjeshur, duke pasur parasysh që Barça ka vetëm disa ditë për t’u përgatitur për sfidën me Atletiko Madridin dhe më pas për ndeshjen vendimtare ndaj Benfika-s në Ligën e Kampionëve.
“Nga sa kam dëgjuar, Benfika-s i është anuluar ndeshja për të pasur një javë përgatitje për Ligën e Kampionëve. La Liga mund ta ndryshojë kalendarin, por kjo nuk është në duart tona. Në Gjermani mund të negociohej me federatën, këtu gjithashtu, shpresoj që në të ardhmen kjo gjë të mund të përmirësohet,” tha mes tjerash Flik.

