Olivier Giroud ka bërë një prononcim ku i ka dhënë lamtumirën Milan-it, ndërsa ka njoftuar se do ta vazhdojë karrierën e tij në kampionatin amerikan MLS.

Sulmuesi francez deklaroi se do të kishte pëlqyer që në sezonin e tij të fundit te “kuqezinjtë” të kishte fituar një trofe.
“Doja të largohesha me një trofe. E dini se sa konkurrues jam. Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë që nga dita e parë. E rëndësishme është që ia dolëm të ruajmë vendin e dytë. Dua të falënderoj tifozët që kanë shumë respekt për këta njerëz që punojnë këtu, te ‘Casa Milan’, jam shumë krenar”-tha fillimisht ai.
Më tej lojtari falenderoi ish-drejtorin sportiv të Milan-it, Maldini-n që e afroi te skuadra e “Djallit”.
“Dua të falënderoj Maldini-n sepse ai dhe trajneri më dhanë shumë besim. Fillova ta shikoja Milan-in dhe e kam ndjekur gjithmonë me shumë interes. Kur e shikoja Milan-in kur isha djalë, Sheva ishte lojtari im i preferuar”-u shpreh Giroud.

