Përfaqësuesit e klubit bavarez kanë dërguar të premten në Londër ofertën e tretë dhe të fundit, pas takimit të mëparshëm mes dy klubeve, që përfundoi me një mosmarrëveshje për shumën e transferimit.

“Sky” kohët e fundit raportoi se Tottenham dhe Bayern nuk mund të bien dakord për vlerën e futbollistit 30-vjeçar dhe se klubi londinez ka kërkuar 20 milionë më shumë se sa ka ofruar klubi i Mynihut.
Kane, i cili shënoi katër gola në fitoren 5-1 të skuadrës së tij ndaj Shakhtarit të dielën, tha se donte që çështja e transferimit të zgjidhej përpara ndeshjes së parë të Tottenham në Premier League, e cila është planifikuar për 13 gusht kundër Brentford.
Sulmuesi Harry Kane kërkon një zgjidhje të shpejtë të situatës për arsye personale, pasi gruaja e tij do të lindë pas disa javësh.
Kontrata e futbollistit anglez me Tottenhamin skadon vitin e ardhshëm, kur ai mund të largohet nga skuadra londineze si lojtar i lirë.

