Drejtuesit e ri të departamentit sportiv të KF Shkëndija kanë pritur sot në një vizitë një delegacion nga Kosova, të udhëhequr nga Gramoz Vokrri.

KF Shkëndija sot kishte mysafirë në zyrat e saj edhe pse zyrtarisht dita e sotme në Republikën e Maqedonisë së Veriut është ditë jo pune. Me rastin e ndryshimeve në strukturat udhëheqëse në klub, Drejtori Sportiv, Harun Isa me bashkëpunëtorët e tij Ibrahim Osmani dhe Skender Jonuzi sot u vizituan nga djali i legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri.
Gramoz Vokrri bashkë me miq dhe në përcjellje të mikut të afërt të babait të tij të ndjerë, Enver Sulejmani (punëtor sportiv nga Tetova dhe ish-zëvendës sekretar gjeneral i Federatës së futbollit të Maqedonisë së Veriut), qëndroi në zyrat e KF Shkëndija, duke uruar kryesinë e re për marrjen e detyrave dhe duke i’u uruar të njejtëve shumë suksese në të ardhmen. Shkëndija vite me rradhë prek nivele dhe organizim që duhet të jetë shembull për klubet tjera tha Gramozi dhe kjo punë duhet të jetë shtytje për arritje të reja edhe më të mëdha.
Nga tabori i Shkëndijës, Drejtori Sportiv, Harun Isa falënderuan mysafirët për respektin e treguar, kujtuan bashkarisht me nostalgji momente të paharruara me legjendën Fadil Vokrri, ndërsa u dakorduan që e ardhmja të jetë mundësi e hapur për bashkëpunim eventual në sfera të caktuara të futbollit dhe ndërrimit të përvojave mes veti.

