2.5 miliardë euro për Ukrainën nga shitja e Chelsea? Po, por janë ‘peng’ në një llogari prej një viti e gjysmë

Premtimi ishte i qartë: paratë nga shitja e Chelsea do të dhuroheshin për viktimat e luftës në Ukrainë. Roman Abramovich e bëri këtë më 2 mars 2022, kur nxori klubin në shitje, i detyruar nga sanksionet e ardhshme për afërsinë e tij me Vladimir Putin. Shitja e klubit londinez përfundoi më 30 maj 2022.

18 muaj më vonë, 2.5 miliardë të destinuara “për të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë” ende nuk janë shpenzuar. Ato para janë ngrirë në një llogari bankare, duke pritur që qeveria britanike dhe Bashkimi Evropian të zgjidhin një problem të bujshëm burokratik që po bllokon përdorimin e tyre. Një problem që David Cameron, sekretari i ri i jashtëm i qeverisë së Sunak, tashmë gjendet nën presion për ta zgjidhur.

Paratë supozohej të menaxhoheshin nga një fondacion i pavarur, por në maj, qeveria britanike nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Bashkimin Evropian duke u zotuar se paratë do të shpenzoheshin ekskluzivisht brenda kufijve të Ukrainës.

Mike Penrose, ish-kreu anglez i Unicef-it dhe presidenti i zgjedhur i fondacionit, që supozohet të menaxhojë paratë e Chelsea, dhe një sërë organizatash humanitare si “Save The Children”, insistojnë në vend të kësaj që paratë duhet të shpenzohen për të ndihmuar të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë.

Pra, të ndihmojnë jo vetëm ato brenda kufijve të shtetit, por edhe të gjitha familjet e detyruara të gjejnë strehim në Evropë apo Britaninë e Madhe, madje edhe popullatat e uritura, sepse gruri ukrainas nuk mbërrin më për shkak të luftës.

Ndërkohë, qeveria britanike vazhdon t’i mbajë fondet të bllokuara, gjithashtu e vetëdijshme se miratimi i Abramovich është i nevojshëm për të mundësuar shtrirjen e ndihmës humanitare jashtë Ukrainës.

“Jam i sigurt se një njeri si Cameron, dikush që e bëri ndihmën humanitare një pikë themelore për Britaninë e Madhe, kur ishte kryeministër, do të kuptojë se sa e rëndësishme është të lirohen këto fonde dhe të sigurohet që ato të ndahen për të ndihmuar të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë, kudo që janë, – tha Penrose në deklaratat e raportuara nga gazeta angleze “The Telegraph”.

– Ne mund të ndihmojmë jo vetëm njerëzit në Ukrainë, por edhe ata që kanë gjetur strehim në Britaninë e Madhe, familjet që kanë ikur në Moldavinë fqinje apo Poloni”.

Penrose ende nuk e ka takuar Cameron, por shpreson ta bëjë këtë në javët në vijim, kur do t’i dërgojë edhe një apel të nënshkruar nga familjet britanike që janë duke pritur refugjatë ukrainas. Cameron do të duhet të vendosë nëse qeveria britanike mund ta ndryshojë pozicionin e saj dhe ta zgjerojë përdorimin e fondeve jashtë kufijve të Ukrainës.

Ndërkohë, 2.5 miliardë euro nga shitja e Chelsea, që supozohej të shndërroheshin në ndihmë për viktimat e luftës, mbeten të bllokuara, të ngrira në një llogari bankare, duke pritur që dikush të vendosë se si mund të shpenzohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close