Ajo që flitej tashmë një kohë të gjatë, fatkeqësisht ka marrë edhe konfirmim zyrtar pasi nga Renova në adresë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë ka mbëritur njoftimi se ata tërhiqen nga garat. KF Renova edhe zyrtarisht nuk do të jetë pjesë e elitës së futbollit vendor edhe pse ishte pjesë e shortit për sezonin e ri të hedhur javën e shkuar.

Në njoftimin e Renovës nuk potencohet një arsye konkrete për vendimin e këtillë radikal, veçse zyrtarizojnë tërheqjen nga garat.
Xhepçishtasit pas mbylljes së sezonit të shkuar kishin aktivitete në aspekt të planeve për të ardhmen, madje duke vazhduar për një vit bashkëpunimin me trajnerin Qatip Osmani dhe ndihmësin e tij Bashkim Livoreka. Mirëpo më pas gjërat morën kahje negative dhe tashmë zërat e opinionit marrin konfirmim dhe faktikisht ndërpritet një traditë e ndërtuar gati për dy dekada.
KF Renova një kohë të gjatë luajti në elitën vendore, madje duke fituar titullin kampion në vitin 2010 dhe më vonë edhe Kupën e Maqedonisë (2012), ndërsa regjistroi 7-të pjesëmarrje në Kupat e Europës.
Largimi i Renovës nga garat është humbje e madhe për futbollin vendor në përgjithësi, ndërsa veçanërisht për Tetovën dhe Pollogun.

