Disfata e djeshme nga Renova ka rezultuar fatale për teknikun tetovar Qatip Osmanin. Kryesia e FC Shkupit sot ka njoftuar se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me ish- trajnerin e Shkëndijës dhe Renovës.
“Pas disfatës së djeshme nga skuadra e Renovës, kryesia e klubit kishte mbledhje me stafin e trajnerëve, të cilët me marrëveshje të dyanshme vendosën që të ndërprenë bashkëpunimin. Si rrjedhojë e kësaj situate, stafi i trajnerëve me në krye Qatip Osmanin dhe ndihmësit Bashkim Livoreka dhe Orhan Abdi u pajtuan me kryesinë që të ndërpresin punën e mëtutjeshme. Pas takimit trajneri Qatip Osmani ka falënderuar kryesinë për mundësinë e dhënë që të udhëheqë me klubin, gjithashtu u ka dëshiruar suksese edhe futbollistëve që në vazhdim të kampionatit të arrijnë suksese sa më të larta”, thuhet në komunikatën e FC Shkupit.
Nga kryesia e klubit bardhëkaltërt njoftojnë se punën e ushtruesit të detyrës së trajnerit në vazhdim do ta kryejë kapiteni Muharem Bajrami.


