
WHC Çair po bën përgatitjet e fundit për dy përballjet e rëndësishme me Slavia Pragën në kuadër të Kupës Evropiane, që do të luhen këtë fundjavë në sallën “Jane Sandanski” në Shkup. Ndeshjet do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, me fillim në ora 18:00, ndërsa hyrja është falas.
Skuadra nga Çairi është vetëm një hap larg kualifikimit historik në çerekfinalet e Kupës Evropiane, duke përfaqësuar me krenari jo vetëm komunën e Çairit, por edhe Maqedoninë në arenën ndërkombëtare. Përballë do të kenë një kundërshtar të fortë, Slavia Pragën, skuadër e cila ka fituar plot 14 tituj kampion të Çekisë.
Vajzat e WHC Çair janë të përkushtuara për të dhënë maksimumin dhe për të arritur një tjetër sukses historik. Drejtuesit e klubit ftojnë gjithë dashamirësit e sportit të jenë pjesë e këtyre dy sfidave, duke dhënë mbështetje maksimale për ekipin.
“Synojmë fitore për t’ju bërë të gjithëve krenarë dhe për të dëshmuar rritjen tonë të vazhdueshme,” thuhet në deklaratën e klubit.
Kjo fundjavë është festë për sportin në Çair. Ejani të mbështesim vajzat tona në këtë rrugëtim evropian dhe të bëhemi pjesë e historisë!