Çegrani i Gostivarit përmes KF Arsimi po përjeton eufori futbollistike, ndërsa pjesëmarrja historike në Ligën e Dytë përveç kënaqësisë e argëtimit ka sjellë edhe organizim serioz në të gjitha strukturat. Nëse kryesia e klubit ditë e natë angazhohet për krijimin e kushteve sa më të mira për futbollistët, nuk mungon mbështetja e madhe nga mërgata e fshatit.

Edhe pse ndihma nga diaspora nuk ka munguar në asnjë moment, megjithatë së fundmi një organizim në Zvicër ka bërë që të ndjehet fortë mbështetja e mërgatës për KF Arsimin. 25 000 franga zvicerane janë grumbulluar në turneun e organizuar nga çegranasit në diasporë, kur 28 ekipe të paraqitura garuan në futboll të vogël duke u argëtuar e shoqëruar, derisa fundi solli një “injeksion” finansiar edhe për KF Arsimin. Turneu grumbulloi 27 000 franga, por duke hequr harxhimet rreth 25 000 franga mbetën për tu destinuar për klubin e futbollit nga Çegrani.
Në këtë mënyrë çegranasit edhe një herë manifestuan dashurinë e tyre për klubin e futbollit që ka një traditë tashmë gjysmëshekullore.
Foto nga turneu në Zvicër:



