Në xhiron e 15-të të kampionatit turk, skuadra e Trabzonsporit u ndal në barazimin 2:2 ndaj Kasimpashas dhe kështu vazhdoi sezonin dëshpërues. Pasi përfunduan në vendin e tretë vitin e kaluar, tani janë në vendin e 12-të.

Mediat turke kanë bërë të ditur mëngjesin e sotëm se trajneri i Trabzonit, Shenol Gunesh pas ndeshjes me Kasimpashën është “çmendur plotësisht” dhe ka mbajtur një fjalim 26-minutësh, në të cilin ka deklaruar sezonin e humbur pavarësisht se mund të luftojnë për dy trofe – Superkupën dhe Kupën e Turqisë.
Mediat turke pretendojnë se Gunesh do të tentojë të zgjojë skuadrën duke rikthyer katër lojtarë dhe duke nxjerrë jashtë skuadrës të njëjtin numër nga skuadra aktuale.
Mes katër të rikthyerve duhet të jetë edhe kapiteni i Maqedonisë, Enis Bardhi, i cili u largua nga ekipi i parë në mesin e nëntorit për t’u stërvitur veçmas dhe për të përmirësuar formën e tij. Bashkë me të në ekipin e parë rikthehen edhe anësori kroat Mislav Orshiç, mbrojtësi Stefano Dansvil, sulmuesi turk Umut Bozok.
Ndërkohë trajneri Gunesh largoi nga ekipi i parë Borna Barishiçin, Husein Turkmen, Serkan Asan dhe Ozan Tufan.

