Skuadra e Trabzonsporit po e ndjek me vëmendje situatën rreth reprezentuesit të Maqedonisë së Veriut, Elif Elmas, i cili me shumë gjasë do të largohet nga Lajpzingu gjatë këtij afati kalimtar veror.

Sipas mediave turke, Trabzoni po shqyrton opsionin për të angazhuar mesfushorin 25-vjeçar, i cili në të kaluarën ka lënë një përshtypje të fortë në Superligën turke, duke luajtur për Fenerbahçe. Edhe pse për Elmasin ka interes nga klube në Spanjë dhe Itali, nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet në Turqi, sidomos nëse nuk realizohet një transferim në ndonjë prej pesë ligave më të forta të Europës.
Sfida më e madhe për Trabzonsporin mund të jetë shuma e kompensimit. Lajpzingu e bleu Elmasin nga Napoli për rreth 24 milionë euro në vitin 2024, por nuk arriti t’i sigurojë minuta të rregullta në fushë, për çka ai kaloi gjysmën e sezonit si i huazuar te Torino.
Në Serie A shkëlqeu, por klubi italian nuk arriti të blejë kartonin e tij, ndaj Elmas u rikthye sërish në Gjermani. Mbetet të shihet nëse marrëveshja eventuale me Trabzonsporin do të realizohet si një huazim i ri apo si transferim i përhershëm, ndërsa skuadra gjermane thuhet se do të kërkojë rreth 20 milionë euro për një marrëveshje të plotë.

