Statistika, shifra personale apo ekipore dhe shumë taktikë. Tirana fitoi titullin kampion, teksa Laçi dhe Vllaznia do të diskutojnë mes tyre trofeun e Kupës së Shqipërisë në finalen që do të zhvillohet të martën (19:00) në “Air Albania”.

“Analizë Superiore” përzgjodhi formacionin më të mirë të edicionit 2021/2022. Tirana kampione dominon me pesë lojtarë, konkretisht Visar Bekajn në portë, dy qendërmbrojtësit Erion Hoxhallari dhe Filip Najdovski, Ennur Totren në mesfushë dhe Taulant Seferin në sulm.
Më pas Vllaznia e Laçi me nga dy lojtarë. Liridon Latifi fitoi ngushtësisht garën me Redon Xhixhën në krahun e majtë të sulmit, teksa Esin Hakaj u zgjodh mbrojtësi i majtë më i mirë këtë sezon.
Më pas bardhezinjtë me Saliou Guindo, golashënuesi më i mirë i kampionatit me 19 gola (po aq shënoi edhe Seferi, por sulmuesi nga Kumanova dështoi për shkak se luajti një ndeshje më shumë se maliani i ekipit kurbinas).
Laçiani tjetër është Julian Shehu, një mesfushor i rrallë, i cili formon dyshen qendrore të mesfushës me tetovarin Totre. Në skemën 4-2-4 ka vend edhe për Albion Markun e Partizanit, një “raketë” në linjën e djathtë dhe Edi Basën. Kroati regjistroi 10 gola dhe 4 asiste në sezonin e parë me Kukësin.


