Trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag, ka komentuar afrimin e Joshua Zirkzee te skuadra e tij.

Kreu i stolit të United theksoi se ish-sulmuesi i Bologna-s është shumë i nevojshëm te “Djajtë e Kuq’ dhe se tiparet e tij kanë për ta ndihmuar ekipin.
“Ai është një lojtar me ide të mira dhe shumë kreativ, ai di të driblojë dhe të krijojë karakteristika të ndryshme dhe kjo është gjithmonë ajo që ne kërkojmë, kështu që ai na jep më shumë opsione taktikisht që është e mirë sepse, veçanërisht në sulm, ne kemi shumë lojtarë që mund të përfitojë shumë nga aftësitë e tij”-u shpreh fillimisht Ten Hag.
Më pas, trajneri holandez nënvizoi fuqinë e skuadrës së tij, duke shtuar se mund të fitojnë ndaj çdo kundërshtari nëse të gjithë lojtarët janë në formë, por sërish shtoi se United i duhen edhe disa lojtarë që të jetë konkurrues, duke ditur kalendarin e ngjeshur që i pret.
“Unë mendoj që ne kemi treguar se mund të mposhtim ekipin më të mirë në botë. Pra, kur të gjithë janë në formë në skuadrën tonë, arrijmë një nivel shumë të lartë. Ne gjithashtu e dimë, thellë brenda, se na duhen më shumë lojtarë. Sidomos në këtë sezon, ku ka edhe më shumë ndeshje”-deklaroi Erik ten Hag.

