Një tjetër emër premtues me prejardhje shqiptare po tërheq vëmendje në futbollin europian. Bëhet fjalë për Abdullah Asllanin, i riu me prindër nga Dobroshti i Tetovës, i cili jeton dhe zhvillon karrierën në Danimarkë.

Sipas raportimeve, mesfushori 19-vjeçar i Lyngby Boldklub ka udhëtuar drejt Italisë për të kryer prova te Hellas Verona. Ai pritet të stërvitet me skuadrën italiane nga 5 deri më 8 maj, ku do të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij në një ambient të nivelit të lartë si Serie A.
Asllani, që luan si mesfushor defensiv, është kapiten i ekipit U19 të Lyngbyt dhe ka regjistruar edhe paraqitje me përfaqësuesen U19 të Maqedonisë së Veriut.
Interesimi i Veronës nuk është rastësi, pasi klubi italian në vitet e fundit ka rekrutuar disa talente nga Danimarka, ndërsa tani në radar është edhe emri i talentit me rrënjë nga Tetova.
Nëse bind gjatë provës, ky mund të jetë një hap i madh në karrierën e tij, duke kaluar nga futbolli danez drejt elitës italiane.

