Spaleti: Elifin e kam si djalin tim, të dytë do të duam të fitojmë

Maqedonia e Veriut dhe Italia nesër do të përballen ndërmjet veti për duelin e vlefshëm të eliminatoreve për Kampionatin Europian 2024. Para kësaj sfide, ka folur edhe seleksionuesi i ri i Italisë, Luçijano Spaleti.

“Mund të them se jam i nderuar dhe krenar që kam marrë këtë post. Presidenti i federatës më dha lojtarët më të mirë dhe jam shumë i lumtur që mora të gjithë lojtarët që doja. Unë jam një trajner që nuk dua të kufizoj lojtarët. Unë dua që ata të tregojnë imagjinatën e tyre në fushë. Nesër do të ketë momente kur do të sulmojmë, por do të ketë edhe momente që kundërshtari do të ketë topin dhe ne do të duhet të mbrohemi. Dua që të luajmë futboll, futboll të bukur, sepse përmes kësaj loje duhet të shkaktojmë emocione për të gjithë ata që na kanë në zemër”, ka thënë Spaleti.

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Elif Elmas për një kohë ka punuar me Spaletin te Napoli. Tekniku i italianëve tha disa fjalë edhe për fantazistin shkupjan.

“Elif Elmas është si djali im. Gjithmonë mbështetesha tek ai kur ishte më e nevojshme dhe ai dha më të mirën. Nesër do të ketë shumë emocione, kur ta përqafoj. Të dy do të duam të fitojmë. Ai është një lojtar shumë i mirë, por ata që tani do të jenë në anën e kundër të tij janë gjithashtu lojtarë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Spaleti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close