Titulli për Shkëndijën është detyrim prej kur kompania “Ecolog” menaxhon kuqezinjtë tetovarë. Dështimi në këtë rrugë detyrimisht imponon ndryshime dhe në kushte kur primati i kampionit kalon nga Shkëndija në adresë të Shkupit, të pritshme janë lëvizjet që do të bëhen në kampin kuqezi për të rikthyer dominimin.

Trajneri aktual Artim Shaqiri në verë merr postin e drejtorit sportiv dhe pankina duket një prej pikat kyçe që duhet plotësuar te Shkëndija.
Informacione të afërta me klubin bëjnë me dije se drejtuesit duken të bindur për të ofruar një emër të huaj, të dëshmuar dhe me përvojë europiane, e të cilit do t’i besohet detyra për rindërtimin e një Shkëndije të fuqishme. Ky përcaktim, duket se “nxjerr” nga loja opsione si Igor Angellovski, ish-seleksionuesi i Maqedonisë së Veriut, apo edhe Ismet Munishi, tashmë ish-trajnerin e Gjilanit, që sipas burimeve të redaksisë nga Kosova, është kontaktuar nga kuqezinjtë.
Një emër tjetër që duket si opsion për t’u afruar në klub është edhe Gajur Sadiku. Legjenda e futbollit tetovar vepron për shumë vite në Suedi dhe sipas disa zërave do të tundohej nga ideja për tu kthyer në Shkëndijë, pasi kishte veshur fanellën kuqezi si futbollist. Nga klubi nuk ka ndonjë konfirmim për këto zëra, ndërsa nëse do të ndodhte diçka e tillë, mbetet të shihet nëse do ishte pozita e trajnerit, apo ndonjë rol udhëheqës në klub?!
Ajo që duket e sigurtë nga burime të afërta me klubin, është se drejtuesit preferojnë trajner të huaj me përvojë!

