Barazimi i të mërkurës me Sileksin në Tetovë ka çuar Shkëndijën një hap mbrapa në luftën për titullin kampion, mirëpo me 4 ndeshje deri në fund të sezonit kuqezinjtë do të bëjnë gjithçka për të provuar anulimin e negativës prej 5 pikëve ndaj Struga Trim&Lum.

Xhiroja e 30-të në LPFM sjell tjetër ndeshje si vendas për kuqezinjtë, kësaj radhe me Makedonija Gj.P.. Shkëndija nuk ka alternativë tjetër veç fitores, pasi çdo hap tjetër fals nënkupton dalje nga gara për titull. Shkëndija është në seri pozitive prej 7 fitoreve dhe 2 barazimeve në 9-të ndeshjet e fundit, mirëpo duke qenë se Struga akoma është 5 pikë para, vetëm tre pikët na mbajnë kombinim për titullin.
Makedonija Gj.P. rikthehet të luajë në Tetovë pasi vetë dy javë më parë eliminoi ekipin e Qatos nga gara e Kupës, kur në gjysmëfinale të Kupës u mundën me penalti pasi koha e rregullt përfundoi baraz 1:1. Kështu shkupjanët kaluan në finale ku me Strugën do të diskutojnë trofeun e Kupës.
Ndeshja Shkëndija – Makedonija Gjorce Petrov luhet sot nga ora 16:00.

