Samir Baftiari, trajneri i tenisit që vihet në shërbim të rinisë tetovare pajiset me liçencë ndërkombëtare

Sporti i tenisit nuk është se ka ndonjë afirmim të madh në mesin e shqiptarëve dhe me përjashtime të vogla të disa sportistëve që kanë provuar të kërkojnë ndonjë sukses serioz, realisht është i vogël numri i atyre që merren me këtë sport. 

Si pasojë, edhe për ata që pëlqejnë këtë sport individual, të vogla janë mundësitë e trajnimit, me theks të veçantë për pjesën shqiptare. 

Fatmirësisht si në shumë sfera tjera edhe në tenis ekzistojnë njerëz që lëvizin gjërat nga pika zero dhe me avansimin e tyre hapin një mundësi të madhe për rininë shqiptare. 

Samir Baftiari është trajneri që ka hapur shkollën e tenisit “Tetova Tennis”, ndërsa së fundmi është pajisur edhe me liçencë trajneri “International coach” që jepet nga “Global Professional tennis coach Association” (Shoqata globale për trajnerë profesional të tenisit).

Sigurisht që paisja me këtë liçencë paraqet një satisfaksion dhe kënaqësi për mua, sepse duke punuar në këtë sport dhe posaçërisht me mosha të reja, avansimi profesional të jep shtytje dhe besim të vazhdosh akoma më shumë me angazhimin në drejtimin tënd”, shprehet për Sportmania, trajneri Samir Baftiari. 

Disa kërkesa të miqve të tij, prind fëmijësh që e shprehnin si mungesë apo nevojë për rininë tetovare kanë qenë pikënisja e iniciativës prej ku lindi shkolla “Tetova Tennis”.

Miq e prind të ndryshëm më paraqitnin këtë nevojë dhe nisa si trajner në korrik të vitit 2019. Si kërkesë më bëri përshtypje, por fillimi ishte i vështirë”, thotë Baftiari i cili vetë ka luajtur tenis dhe mbase nga përvoja personale kur si shqiptar nuk gjente hapsira, tashmë gjen motiv të tejkalojë barierat e ndryshme për të mbajtur gjallë shkollën e tenisit në Tetovë.

Personalisht kam nisur të stërvitem tenis në moshën 11 vjeç dhe në atë kohë ndoshta isha shqiptari i vetëm në rajonin tonë. Duke qenë krejt fëmijët tjerë maqedonas, ishte shumë e vështirë kyçja në klube maqedonase ku mes tjerash mungonte mbështetja për të ec para. Maksimumi që të jepej ishte të stërvitesh dhe të garosh brenda klubit, kurse pjesëmarrja në turne jashta qytetit e në nive shtetëror nuk vinte parasysh. Perspektiva dukej vetëm për maqedonasit”, shton Baftiari. 

Gjithë këto probleme nga e kaluara personale kanë bindur Samirin që të bëjë diçka për rininë shqiptare që të mos kalojnë “rrugës” që ai bëri dikur e që nuk të jepte shans të kërkosh sukses. 

Vendosa të hap klubin dhe paralel ndiqja seminare të ndryshme dhe kurse për tu ngritur si trajner edhe në praktikë e teori, por edhe me kualifikimet dhe diplomat e nevojshme. Gëzon fakti se prej startit numri i të interesuarve ritet dhe fëmijët që kërkojnë regjistrim shtohen. Lodhja ishte e madhe, vështirë po, ama kur sheh se brenda 1 muaj numri i regjistrimeve shkon 50 fëmijë, sigurisht se kënaqesh”, spjegon fillimet e “Tetov Tennis”, trajneri Samir Baftiari. 

Tejkalimi i suksesshëm i një sprove, nënkuptonte shfaqjen e një tjetre dhe si një sport i pakultivuar te shqiptarët, shpejt Samirin do ta vendosnin para problemit “fushë”.

Problematikë serioze ishte në vitin e parë çështja e terrenit. Imagjinoni, klubi i Lubotenit shfrytëzon pa pagesë tre terrene, ndërsa ne paguanim çdo orë e çdo minutë. Por gjërat shkuan edhe më keq vitin e dytë kur neve nuk na lejohej shfrytëzimi i terrenit as me pagesë. U detyrova të kërkoj alternativë sepse interesimi i fëmijëve ishte gjithnjë e më i madh. Te Universiteti Shtetërorë i Tetovës gjendet qendra sportive dhe aty ka edhe dy terrene për tenis, por duke qenë se nuk kishte pasur të interesuar për këtë sport as që kishin pasur ndonjë aktivitet serioz. Kisha takim shumë pozitiv me rektorin e USHT-së ku mora përkrahje të shfrytëzoj terrenet, e të cilat i rindërtuam sepse nuk kishin funksionuar si duhet. Tashmë ne kishim një lokacion dhe “Tetova Tennis” gjenden pranë USHT-së. Kjo bëri në ritje të interesimit akoma më shumë dhe vitin e mbyllëm me një avansim të madh të shumë talentëve”, thotë Baftiari. 

Ne pranojmë fëmijë prej moshës 4 vjeçare. Është përparësi e madhe sepse po të analizosh tenistët që kanë arritur suksese të mëdha në këtë sport, fillimet i kanë nga ajo moshë. Perspektiva në këtë sport është shumë e rëndë pasi që mungon mbështetja nga federata e poashtu edhe nga Agjencia për Rini e Sport. Nuk është përjashtim as Komuna, pasi që ne edhe mirëmbajtjen e terreneve detyrohemi ta bëjmë vet, derisa klubet tjera kanë mbështetje edhe prej federatës”, sqaron Baftiari që bisedën e mbyll me një apel të hapur e të qartë. 

Kërkoj haptas nga Agjencia për Rrini dhe Sport që ta marrë parasysh këtë kërkesë që Qeveria e ka miratuar për 100 terrene të tenisit në krejt territorin e Maqedonisë së Veriut, ku janë realizuar mbi 45 terren, por fatkeqësisht asnjë në Tetovë dhe Gostivar. Kjo padrejtësi duhet të rregullohet”, thotë në fund Samir Baftiari. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close