Real Madridi ka një sërë problemesh për t’i adresuar në mënyrë që gjithçka të kthehet në vendin e duhur, por mungesa e kontributit nga Kylian Mbappe po vazhdon të bëhet një problem gjithnjë e më i madh për ‘Los Blancos’.
Reprezentuesi francez ka shënuar vetëm dy gola që nga muaji shtator, teksa nuk u tregua i saktë nga penalltia në takimin e tyre të rëndësishëm ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.
Kampioni evropian deri më tani e ka trajtuar me qetësi formën e Mbappes, duke nënvizuar se ky nuk është problemi i tyre kryesor.
‘Herët ose vonë, ai do të bëjë mirë’, ka qenë mesazhi që u dha nga drejtuesit e klubit përmes mediave lokale.
Shumë njerëz janë arsyetuar për faktin se Mbappe nuk po luan në pozicionin e tij të dëshiruar, por ani pse u paraqit në krah të majtë në dy ndeshjet e fundit, ai dukej larg formës së tij më të mirë.
Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Sport, Real Madrid ka kërkuar ndihmë nga ish-lojtari dhe ish-trajneri Zinedine Zidane, për ta ndihmuar Mbappen që ta fillojë karrierën e tij në kryeqytetin spanjoll.
Zidane ka një raport të afërt me Mbappen, pasi si idhulli i tij, ai ishte i pari që i rekomandoi kalimin tek Real Madridi, që do të thotë se fjala e tij peshon shumë për yllin e Real Madridit.
Kujtojmë se edhe vet Zidane kishte hasur në vështirësi gjatë sezonit të tij debutues në ‘Santiago Bernabeu’ dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit i kanë kërkuar që të bisedojë me Mbappen dhe ta këshillojë atë në drejtimin e duhur./Telegrafi/